Viti 2016 pa diskutim që është viti më i suksesshëm në historinë e futbollit kosovar.

Pas shumë përpjekjeve më në fund shtëpitë më të mëdha të futbollit, UEFA dhe FIFA e pranuan Federatën e Futbollit të Kosovës si pjesë të saj me të drejta të plota.

Lajmi për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA jo që ishte ndër më të rëndësishmit në vendin tonë, por bëri bujë të madhe edhe në mediat ndërkombëtare.

Pas kësaj, Kosova arriti të luaj në kualifikimet për në kampionatin botëror ‘Rusi 2018’, ku e nisi me një barazim në udhëtim te Finlanda 1-1.

Sa i përket futbollit vendor, vazhdoi dominimi i Feronikelit në kampionat duke u shpallur kampion, ndërsa Kupën e Kosovës e fitoi Prishtina pasi mposhti Dritën në finale 2-1.

Pjesa pranverore e kampionatit filloi me dominimin e Feronikelit, por mendja ishte tek muaji maj, muaj i cili ishte më i dashuri për Kosovën.

Ishte data 3 maj, kur në kongresin e UEFA-së, Kosova u bë anëtarja e 55-të e kësaj organizate të madhe me 28 vota pro, 24 kundër dhe dy shtete tjera abstenuan.

Vetëm 10 ditë më vonë, Kosova mori edhe një lajm tjetër të jashtëzakonshëm pasi mori pjesë në kongresin e 66-të të FIFA-s që u mbajt në Meksikë.

Ashtu edhe siç pritej, Kosova u pranua edhe në shtëpinë më të madhe të futbollit botëror FIFA me të drejta të plota.

Kosova me shumicë të votave prej 86% u pranua me të drejta të plota në FIFA, ku të pranishëm ishin presidenti i FFK, Fadil Vokrri dhe anëtari i komitetit ekzekutiv, Flamur Bunjaku.

Më 14 maj përfundoi edhe elita e futbollit kosovar, me kampionin në fuqi Feronikelin që titullin e kishte siguruar tri xhiro para përfundimit.

Skuadra nga Drenasi pritej të përfaqësonte Kosovën në Ligën e Kampionëve, mirëpo kjo gjë nuk ndodhi për shkak të një vendimi nga UEFA, pasi klubet nuk përmbushnin kriteret për të marrë pjesë në garat evropiane.

Dy javë më vonë, u zhvillua edhe finalja e Kupës së Kosovës, ku përballë njëra tjetrës ishin Drita dhe Prishtina.

Në një ndeshje fantastike të zhvilluar në kryeqytet, me stadiumin e stërmbushur, triumfoi Prishtina me rikthim 2-1 përballë Dritës.

Ashtu si Feronikeli, edhe Prishtina pritej të marrë pjesë në garat evropiane por që u refuzua nga UEFA.

Më 3 qershor, në qytetin e Frankfurtit të Gjermanisë, Përfaqësuesja e Kosovës zhvilloi ndeshjen e parë miqësore pas pranimit me të drejta të plota në UEFA e FIFA.

Kosova kishte përballë Ishujt Faroe që i mposhti pa problem 2-0, me një ndeshje fantastike nga djelmoshat e Albert Bunjakut.

Ishte sulmuesi Albert Bunjaku që shënoi golin e parë ndërsa të dytin e realizoi Elbasan Rashani.

Dy skuadrat ‘Nikli’ dhe Prishtina morën edhe para nga UEFA pasi nuk morën pjesë në garat evropiane.

Kampionit të Kosovës i takuan 220 mijë euro, ndërsa Prishtina fitoi pesë mijë më pak.

Superkupa e Kosovës u zhvillua në stadiumin ‘Shahinhaxhi Islami’ në Pejë mes fituesit të Kupës që ishte Prishtina dhe kampionit në fuqi Feronikelit.

Në këtë finale të Superkupës, ishin kryeqytetasit që triumfuan me rezultat të ngushtë 2-1.

Më 19 gusht filloi edhe kampionati i ri në elitën e futbollit kosovar, ku në ndeshjen hapëse u takuan Prishtina dhe Llapi me kryeqytetasit që triumfuan pa problem me rezultat 3-1.

Muaji shtator u prit gjatë nga kosovarët, pasi Përfaqësuesja jonë do ta luante ndeshjen e parë në kualifikime.

Kosova u përballë me Finlandën në Turku, duke befasuar gjithë botën ku barazoi 1-1.

Golin e vetëm për Kosovën e shënoi mesfushori Valon Berisha nga penalltia.

Me 30 nëntor përfundoi edhe gjysma e kampionatit në elitën e futbollit kosovar.

Skuadra mitrovicase, Trepça ’89 befasoi të gjithë duke u shpallur kampione vjeshtore pas një gjysmësezoni fantastik.

 

 

Facebook Comments