Muri në pjesën veriore të Mitrovicës do të rrënohet brenda këtij muaji. Kështu po zotohen autoritetet kosovare.

Ndonëse pala serbe në Veriun e Mitrovicës po e kundërshton rrënimin e tij, ligjvënësit në Kosovë i kanë dhënë kohë një muaj autoriteteve serbe në Veri që ta bëjnë e rrënimin e këtij muri

E këtë mision për rrënimin e murit e ka marrë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) në krye me Ferat Shalën.

Tashmë kjo ministri i ka dërguar shkresë institucioneve në Veriun e Mitrovicës ku u kërkohet rrënimi i këtij muri. Në një prononcim për Gazetën Express, kreu i MMPH ka thënë se ende nuk ka ndonjë datë të caktuar se kur do të rrënohet ky mur.

“Ne nuk kemi ndonjë datë të caktuar për murin në veri. Jemi të interesuar që maksimalisht që ta zbatojmë ligjin dhe ta zbatojmë rezolutën e Kuvendit. Sigurisht që është interes i gjithë shtetit të Kosovës dhe i qytetarëve që të fillojë së zbatuari ligji edhe në këtë fushë, pra në çështjen e ndërtimit të murit”, ka thënë Shala.

Sipas tij, e gjithë puna do të kryhet në pajtueshmëri me rezolutën e miratuar në Kuvend në javën e fundit të dhjetorit të vitit të kaluar për këtë çështje.

“Ne i kemi dërguar tashmë shkresat në Veriun e Mitrovicës dhe tashmë jemi duke pritur që ata ta kryejnë vet. Nëse jo atëherë hynë ne fuqi vendimi i Kuvendit dhe legjislacionit në fuqi. Gjithçka do të përfundojë brenda afatit të cilin e ka paraparë rezoluta. Nuk mundem të jap data, sepse nuk është çështje që varet nga ne por nga procedurat legjislative”, ka thënë Shala.

Sipas tij për këtë punë do të ketë bashkëpunim edhe me anëtarët e tjerë që janë relevant për këtë çështje.“Lidhur me këtë çështje do të bashkëpunojmë edhe me anëtarët e tjerë relevant dhe do të shohim dhe po i presim edhe afatet kohore, sepse janë disa afate kur praktikisht edhe Pushteti Lokal ka kompetenca që ta rrënojë edhe vetë”, ka thënë tutje Shala.

Ndërkohë që punimet lidhur me ndërtimin e këtij muri tashmë janë ndërprerë. Sipas Shalës procesverbalet janë dërguar tek institucionet, janë vënë shiritat si dhe është njoftuar inspektoriati lidhur me këtë çështje.Kujtojmë se muri në Mitrovicë është ndërtuar në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër. Vend ky në të cilin Bashkimi Evropian po zbaton një projekt për revitalizimin e urës dhe vënien e saj për qarkullim të rregullt pas barrikadave që ishin vendosur aty, e të cilat pengonin lirinë e lëvizjes nga jugu në veri të Mitrovicës dhe anasjelltas.

Muri në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës ka filluar të ndërtohet në fillim të dhjetorit të vitit 2016, duke ngjallur reagimin e qytetarëve dhe të politikës. Kuvendi i Kosovës, ka miratuar një Rezolutë për çështjen e këtij muri, duke i kërkuar qeverisë që ta rrënojë atë brenda muajit janar të vitit 2017.

 

Facebook Comments

Te ngjajshme