Barcelona ka pësuar humbje 2-1 në ndeshjen e parë në Kupën e Spanjës ndaj Athletic Bilbaos.
Kampionët e Spanjës hasën në vështirësi në këtë përballje edhe pse u paraqitën me formacionin më të mirë.
Vendasit e nisën më mirë takimin dhe kësisoj arritën të shënonin të parët në ndeshje.
Ishte minuta e 25-të e ndeshjes kur sulmuesi spanjoll, Ariz Aduriz pranoi një top të bukur në zonë dhe me kokë mposhti portierin mysafir për 1-0.
Pasi shënuan golin e epërsisë, vendasit nuk u ndalën duke sulmuar kampionët e Spanjës.
Vetëm katër minuta më vonë, Aduriz kësaj radhe asistoi ndërsa Inaki Williams shënoi një gol të bukur për 2-0.
Me epërsinë prej dy golave për Bilbaon përfundoi pjesa e parë.
Kampionët në fuqi të Spanjës, Barcelona e nisi më mirë pjesën e dytë.
Saktësisht tetë minuta pasi filloi pjesa e dytë, Lionel Messi ekzekutoi në mënyrë përfekte një gjuajtje të lirë duke ngushtuar epërsinë në 2-1.
Pas golit, Barcelona u hodh e tëra në sulm duke synuar të shënoj edhe njëherë për ta barazuar rezultatin.
E sulmet e Barcelonës nga lojtarët vendas u ndalën vetëm me ndërhyrje të palejueshme.
Gjyqtari kryesor i ndeshjes, ndëshkoi me karton të kuq dy lojtarë të Bilbaos.
Fillimisht në minutën e 75-të, Raul Garcia mori kartonin e dytë të verdhë, ndërsa pesë minuta më vonë edhe Iturraspe.
Në minutën e fundit të ndeshjes, Paco Alcacer pati rast të mirë shënimi por goditi shtyllën duke mbetur rezultati 2-1 në të mirë të vendasve.
Ndeshja e kthimit në kuadër të Kupës së Spanjës do të zhvillohet pas një jave në ‘Camp Nou