Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili së fundmi ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka njoftuar se është takuar me senatorin amerikan, Robert Doll.

Presidenti Thaçi ka shkruar në rrjetin social Facebook se gjatë këtij takimi me senatorin Doll kanë zhvilluar një bisedë të përzemërt për të kaluarën e Kosovës dhe rëndësinë që ka pasur SHBA’ja në lirinë e vendit.

Ndër të tjera, presidenti ka shkruar se me senatorin amerikan, kanë folur edhe për gjendjen aktuale në vend dhe për nevojën e Kosovës për t’u ndihmuar edhe më tej nga SHBA.

Ky është shkrimi i plotë i presidentit:

“U ndava, si gjithmonë, me përshtypjet më të mira nga takimi me mikun e madh të shqiptarëve, senatorin Robert Doll.

Në takimin e përzemërt që patëm, diskutuam gjerë e gjatë të kaluarën dhe rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së për lirinë e Kosovës.

Natyrisht, senatori Doll ka qenë një ndër kontribuuesit kryesor në afirmimin e çështjes së Kosovës dhe aspiratës për liri dhe pavarësi.

Por, fokusi i bisedës ishin zhvillimet aktuale në Kosovë dhe nevoja që SHBA-ja të vazhdojë të luajë rol udhëheqës për të gjitha proceset e rëndësishme në Kosovë dhe në rajon.

E falënderova, në emër të qytetarëve të Kosovës, senatorin Doll për kontributin e tij personal për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në shenjë mirënjohjeje i dhurova një suvenir me hartën e Kosovës të bërë me gurë mineralë nga toka e jonë.

Duhet gjithmonë të jemi mirënjohës për të gjithë ata që ndihmuan Kosovën. Ne jemi të bekuar që kemi miq të tillë si senatorin Doll.

Facebook Comments

Te ngjajshme