Sipas kreatores Besa Neziri Rugova, veshja është një ansambël i këmishës, fundit dhe jelekut të inspiruara nga veshjet kombëtare por në frymë moderne, bazuar në kodin e veshjes të Miss Universe.

Modelja nga Argjentina Camilla Barraza, vajza që fitoi kurorën e më të bukurës në Kosovë, duke lënë prapa 14 vajza tjera shqiptare, dhe duke triumfuar si e vetmja modele e huaj në “Miss Kosova”, përkundër faktit që nuk ishte shtetase e Republikës së Kosovës, tashmë është duke u përgatitur për të na përfaqësuar në mënyrën më të mirë në spektaklin e bukurisë “Miss Universe”, i cili do të mbahet në Filipine.

 

 

Ajo tashmë ka filluar të kujdeset edhe për veshjet me të cilat do të prezantohet atje, por veshja kombëtare shqiptare është ajo me të cilën të gjithë mezi presin ta shohin modelen argjentinase.

E për këtë gjë është duke u përkujdesur disenjatorja Besa Neziri Rugova, e cila njihet për stilin e saj unik të krijimit të veshjeve, duke bërë kështu një kombinim të përkryer të tradicionales me modernen. Përmes veshjeve që krijon ajo vazhdon të tregojë rëndësinë e këtyre veshjeve dhe dashurinë që ka për to, ajo vazhdon ta mbajë gjallë traditën e veshjeve kombëtare e kjo gjë e ka bërë të jetë tejet e vlerësuar.

 

Kështu, Agnesa Vuthaj, njëherit edhe drejtoreshë e Miss Kosova e ka kontaktuar Besën në nëntor të vitit të kaluar për realizimin kësaj veshje. “Ajo kishte përcjellur punën time për një kohë të gjatë dhe kishte vërejtur prezencën e elementeve tradicionale që unë përdorë në veshjet e mia. Në këtë mënyrë bashkëpunimi ishte i natyrshëm për të dy palët”, ka treguar Besa për KultPlus.
Besë, është duke u përkujdesur që ta sjellë këtë veshje në mënyrën më të mirë në trupin e Camillas, e cila tregoi që është shumë e lumtur që po punon në këtë veshje me shumë peshë e që peshën do t’i shtoj edhe Camilla.

 

 

“Camilla është një vajzë shumë e ëmbël dhe modeste, edhe pse argjentinase ajo është qytetare e Kosovës dhe si duket është integruar lehtësisht në kulturën tonë. Është shumë e këndshme të punosh me të dhe unë mendoj që me bukurinë dhe elegancën e saj vetëm sa do t’ia shtoj peshën veshjes”, ka treguar tutje Besa.

Sipas disenjatores, veshja është një ansambël i këmishës, fundit dhe jelekut të inspiruara nga veshjet kombëtare por në frymë moderne, bazuar në kodin e veshjes të Miss Universe.

 

 

“Këmisha është mëndafsh i endur me dorë me detale të dantellës të punuara me dorë të cilat kërkojnë rreth 500 orë punë. Fundi është mëndafsh organza poashtu me detale të dantellës si dhe jeleku kadife i inspiruar nga xhubleta shqiptare, në frymë moderne si dhe disa detale tjera të bukura të cilat do ti shihni në natën finale. Sa i përket ngjyrave, kam qëndruar në ato neutrale, dominon e zeza, e fildishta si dhe disa nuanca të së bardhës”, ka thënë për fund Besa Neziri Rugova.

Camila Barraza sot ka udhëtuar në Filipine për të prezantuar Kosovën në garën e madhe ‘Miss Universe’ që do mbahet në këtë vend.

Facebook Comments