Ministrja për Dialog, Edita Tahiri konsideron se dështimet më të mëdha të Kosovës si shtet, për vitin 2016 janë mos liberalizimi i vizave dhe zhvillimi i ulët ekonomik.

Koordinatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ vlerësoi se Republika e Kosovës nuk ka realizuar disa nga pritjet më të mëdha që sipas saj janë liberalizimi i vizave dhe ulja e papunësisë.

“Për sa i takon dështimit do të thoja liberalizimi i vizave sepse pritjet kanë qenë të mëdha por ne e dimë që kushti kryesor ishte demarkacioni i kufirit mes Kosovës dhe Mali të Zi dhe sic po e shohim nuk u arrit. Unë mendoj që fakti që ende nuk kemi bërë një zhvillim substancial dhe papunësia nuk ka arritur të zgjidhet, sigurisht nuk mund të llogaritet sukses”, tha Tahiri.

Ndërkaq si suksese të Kosovës për vitin e kaluar, Ministrja Tahiri renditi nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe miratimin e ligjit për Trepçën.

“Për mendimin tim, suksesi më i madh i Kosovës për vitin 2016 është MSA-ja me Bashkimin Europian që ka shënuar vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale në mes të Shtetit të Kosovës dhe BE-së në kuadër të vizionit Euro-Atlantik të shtetit tonë”, konstatoi Tahiri.

Facebook Comments