Një gjykatë e apelit në Francë liroi me kusht ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, por tha se ai duhet të qëndrojë në Francë deri në shqyrtimin kërkesës së Serbisë për ekstradimin e tij.

Beogradi e akuzon zotin Haradinaj për krime lufte, ndonëse ai është shpallur dy herë u pafajshëm për akuza të tilla në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Arrestimi i zotit Haradinaj një javë më parë në bazë të një urdhër arresti serb nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë ku kërkohet lirimi i menjëhershëm i tij. Pak pas vendimit të gjykatës në Francë zoti Hardinaj në një intervistë me Zërin e Amerikës tha se krejt procesi kundër tij është një lojë politike e Serbisë.

 Zoti Haradinaj, në mediet serbe është njoftuar se prokuroria serbe për krime lufte ka ofruar prova të reja kundër jush. A jeni i njohur me këto prova nëse prokuroria serbe vërtetë i ka paraqitur ato?

Ramush Haradinaj: Proceset gjyqësore lidhur me rastin tim në Tribunalin e Hagës, kanë filluar në vitin 2005. Aktakuza e mbrëmshme e amendamentuar ka hyrë në fuqi në vitin 2011. Do të thotë, që nga 1999 deri në vitin 2011, po të kishte pasur prova çfarëdo qoftë, Serbia apo kushdo qoftë, kanë qenë të mundshme të shqyrtohen. Nuk kanë lënë asnjë provë, asnjë informatë, jo vetëm Serbia, por askush tjetër lidhur me mua pa e prezantuar në gjykatë. Të gjitha ato prova të shqyrtuara kanë rezultuar me vendimin e gjykatës, shpallje të pafajshëm. Kjo është tani vetëm një lojë politike e Beogradit. Lojë politike, që për fat të keq e përkrahu edhe Franca.

 

The code has been copied to your clip

është e habitshme qasja e autoriteteve franceze ndaj kësaj kërkese të Serbisë.

A jeni i shqetësuar për mundësinë që të ekstradoheni në Serbi?

Ramush Haradinaj: Kjo nuk ndodhë. Nuk ka si të ndodhë. Unë jam i Kosovës. Serbia nuk ka juridiksion mbi mua as mbi Kosovën. Përgjigjen ja kemi dhënë me luftë Serbisë në vitin 1999, pra zotit (Slobodan) Millosheviç, regjimit të tij. Në atë kohë, zoti (Ivica) Daçiç ka qenë një shërbëtor i zotit Millosheviç, po ashtu (Aleksandër) Vuçiç, shërbëtor i zotit (Vojislav) Sheshel. Nëse ata nuk ndërrojnë qasje, nuk po e ndihmojnë paqen në Ballkan, por, po e destabilizojnë Ballkanin me këto lojëra të tyre politike që janë krejtësisht të padrejta.

Zoti Haradinaj, nga pikëpamja procedurale, a ka qenë procesi profesional sa duhet, apo ka vonesa që ju mund t’ju duken të qëllimshme?

Ramush Haradinaj: S’ka asgjë profesionale në këtë rast, sepse burimi i këtij rasti është krejtësisht politik. Një gjykatë në Angli ka hedhur poshtë një kërkesë të tillë duke e quajtur abuzim nga Serbia dhe duke i quajtur këto aktakuza politike. Vende respektabile, po ashtu anëtare të INTERPOL-it e të EUROPOL-it si Gjermania, Austria e Zvicra, i kanë hedhur poshtë, Franca po abuzon me mua dhe me situatën me mua.

Atëherë si e gjykoni ju rolin e Francës në arrestimin tuaj, një vend që e ka mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe që në të kaluarën nuk ka ngritur ndonjë problem të veçantë lidhur me akuzat që qenë bërë ndaj jush?

Ramush Haradinaj: Shikoni. Franca është themeluese e Tribunalit të Hagës për ish Jugosllavinë. Ka pasur gjyqtarë, prokuror, hetues. Franca është pjesë e gjithë mekanizmave ndërkombëtar në Kosovë. Të gjithë këta e dinë se Serbia nuk ka juridiksion mbi Kosovën nga 99-ta sepse juridiksioni ka kaluar tek OKB-ja me Rezolutën 1244 dhe nga 2008-ta jemi shtet i pavarur dhe Serbia s’ka asnjë juridiksion mbi shtetasit e Kosovës. Shtuar kësaj edhe faktin se jam në posedim të pasaportës diplomatike të Republikës së Kosovës si kryeministër.

 Zoti Haradinaj, a mendoni se protestat e shqiptarëve kundër arrestimit tuaj mund të çojnë në përplasje serioze mes Kosovës dhe Serbisë?

Ramush Haradinaj: Shikoni. Shqiptarët kanë treguar se janë popull i mirë. Janë popull i drejtë e i dashur edhe liridashës, por nuk lejojnë të padrejta. Mobilizimi i shqiptarëve ngado që janë, më ka bërë të ndjehem aq krenar saqë vërtetë besoj se e drejta është për shqiptarët dhe kanë perspektivë. Kjo është një lojë e ultë. Kushdo që ka marrë pjesë në këtë lojë të ultë, filluar nga Beogradi e të tjerët, kanë me dalë të turpëruar në këtë lojë./Zëri i Amerikës/

Facebook Comments

Te ngjajshme