Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri,

ka pritur në një takim biznesmenin nga Turqia,

Ali Samlioglu, pronar i kompanisë “Mibos”, me bashkëpunëtorët e tij.

Biznesmenët turq kanë treguar se kjo kompani prodhon pajisje elektronike

dhe ka fabrikat e saj në disa qytete të Turqisë dhe në Gjermani.

“Pasi që Kosova është më afër Evropës, ne jemi të interesuar që të investojmë në Mitrovicë

dhe jemi të gatshëm që në Zonën e Lirë Ekonomike të hapim një fabrikë

ku do të prodhojmë trafo elektrike dhe ku presim të vendosim edhe shkritoren tonë.

Në këtë fabrikë fillimisht do të punësojmë në fazën e parë deri në 25 punëtorë,

ndërsa që numri i tyre brenda pesë viteve do të arrijë në 100”, ka thënë Samliolgu.

Kryetari i Mitrovicës ka falënderuar biznesmenin, duke përmendur interesimin

që ka treguar shteti turk për investime në Mitrovicë që nga fillimi i pasluftës,

thuhet në komunikatën për media.

“Ndjehem mirë për gatishmërinë e biznesmenëve nga Turqia për të investuar në komunën e Mitrovicës.

Ju premtoj atyre se përveç hapësirës për të ndërtuar fabrikën,

aty do të rregullohet edhe infrastruktura e nevojshme.

Komuna do t’i kryejë me përgjegjësi të gjitha obligimet që do i marrë përsipër

dhe do të sigurojë gjithçka që është e nevojshme dhe që investitorët

kërkojnë për plotësimin e kushteve për realizimin e projekteve në të cilat ata do të investojnë”,

ka thënë ndër të tjera kryetari Bahtiri.

 

Facebook Comments