Nxitja për një zgjidhje tani për të përmirësuar marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës rrezikon ta destabilizojë rajonin dhe çështja duhet të trajtohet vetëm pasi Bosnja dhe Maqedonia të zgjidhen, tha në një intervistë për BIRN, Rada Trajkoviq, kryetarja e Lëvizjes Europiane të Serbëve nga Kosova.

Trajkoviq, një zë kritik e politikës së qeverisë serbe mbi Kosovën nën udhëheqjen e presidentit Aleksandër Vuçiq tha se njohja serbe e pavarësisë së Kosovës dhe ndarja e saj do të thoshte rrezik për stabilitetin rajonal.

“Pas gjithë këtyre luftërave, a duhet ta vendosim përsëri veten në një situatë ku vdekja dhe shkatërrimi janë një realitet?” tha Trajkoviq.

Serbët dhe shqiptarët e arsyeshëm, tha ajo, “besojnë se gjendja në të cilën janë çështjet është e qëndrueshme dhe se duhet të zgjidhet ngadalë, pikë për pikë, sipas marrëveshjes së Brukselit dhe se duhet t’ia lëmë kohës çështjen e statusit”.

“Fillimisht, një marrëveshje midis Shkupit dhe Athinës që Maqedonia të ndryshojë emrin e saj pas një çerek shekulli mosmarrëveshjesh duhet të vihet në zbatim dhe Bosnja duhet të stabilizohet dhe të bëhet funksionale. Pas kësaj, duhet të punojmë për Kosovën”, tha Trajkoviq.

“Zgjidhja e statusit të Kosovës dhe Metohisë në këtë moment përbën një rrezik përsa i përket destabilizimit,” shpjegoi Trajkoviq. “Nëse Serbia pranon një Kosovë të pavarur, me siguri kjo do të destabilizojë pjesën tjetër të Serbisë. Destabilizimi në aspektin e ndarjes së Kosovës në thelb vë në rrezik të gjithë rajonin.”

BE-ja “jo ajo që ishte”

Marrëveshja me Maqedoninë do të vendoset në një referendum në shtator, por ka ende pak shenja progresi që serbët, kroatët dhe boshnjakët e Bosnjës të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre për funksionimin e shtetit edhe 23 vjet pas fundit të luftës ku mbetën të vrarë 100,000 njerëz.

Trajkoviq tha se Rusia ishte e vetmja që përfitonte nga destabilizimi i rajonit, si pretekst për të zgjeruar ambiciet e veta midis komuniteteve etnike ruse në ish-republikat sovjetike.

Ndërkohë, Bashkimi Europian, tha ajo, “nuk është ai që ishte” dhe blloku gjithnjë e më shumë nuk flet si një i vetëm, por si një grumbull shtetesh të veçanta. Pesë nga 28 anëtarët e BE-së nuk e njohin Kosovën si të pavarur.

BE-ja po ndërmjetëson negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës që kanë për qëllim “normalizimin e marrëdhënieve” midis dy vendeve, më shumë se një dekadë pasi Kosova shpalli pavarësinë me mbështetjen e Perëndimit.

Kosova u shkëput nga Serbia në vitin 1999, kur NATO-ja bombardoi 11 javë me radhë për të ndalur vrasjen dhe dëbimin e civilëve shqiptarë etnikë nga forcat serbe të sigurisë duke u përpjekur të shtypnin një kryengritje guerile.

Ajo shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe shteti me shumicë shqiptare është njohur nga më shumë se 100 vende në mbarë botën, por jo nga Serbia apo aleatja e saj Rusia, e cila pengon anëtarësimin e kësaj të fundit në Kombet e Bashkuara.

Korrigjimi i kufijve

Si një lidere veterane e serbëve të Kosovës në jug të lumit Ibër, Trajkoviç është kundër ndarjes së Kosovës që dëshirojnë disa në qeverinë serbe, me anë të së cilës veriu i Kosovës, i dominuar nga serbët, në veri të lumit Ibër, do të ishte pjesë e Serbisë. Shumica e serbëve të Kosovës jetojnë në jug të lumit Ibër.

Të enjten, Vuçiq u citua nga televizioni rajonal N1 të ketë thënë se ai do të preferonte “delimitimin”, ose korrigjimin e kufijve me Kosovën.

“Të kesh një territor që askush s’di si ta trajtojë ose se çfarë i përket secili është gjithmonë një burim i një konflikti të mundshëm,” u citua ai t’i ketë thënë gazetarëve në qytetin perëndimor kufitar të Sidit në perëndim.

Homologu i tij në bisedimet e Brukselit, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, përdori një terminologji të ngjashme në një postim në Facebook më 1 gusht kur ai bëri thirrje për “korrigjim të kufijve”, duke përfshirë bashkimin e mundshëm të Kosovës dhe Luginës së Serbisë, ku mbizotërojnë shqiptarët etnikë.

Trajkoviq tha se ndarja do të rezultonte vetëm në një eksod serb nga Kosova.

“Unë mendoj se ky është projekti më shkatërrimtar që në fakt nuk ofron një zgjidhje nëse qëllimi ynë është pajtimi mes serbëve dhe shqiptarëve”, tha ajo.

“Ky është një projekt shumë mizor, i cili si rezultat, do të shihte zhvendosjen e serbëve nga jugu i lumit Ibër, por sigurisht edhe emigrimi i serbëve në veri të Ibrit”, tha ajo.

“Unë mendoj se ata do të largohen”

Trajkoviq akuzoi si Thaçin ashtu edhe Vuçiqin se po negociojnë thjesht “për zgjatjen e jetës së tyre politike”.

Bisedimet e Brukselit kanë dështuar, tha ajo, dhe komuniteti ndërkombëtar thjesht po kërkon stabilitet nëpërmjet njerëzve “që ishin nxitësit e luftës”.

Trajkoviq tha se këta njerëz “gjithmonë arrijnë një situatë ku pushteti i tyre është në rrezik dhe ata i rikthehen projekteve që i ndihmojnë ata të mbajnë pushtetin – nëpërmjet destabilizimit”.

BIRN kontaktoi zyrën e Vuçiqit për një përgjigje, por nuk mori asnjë të tillë.

Trajkoviq ishte gjithashtu e shqetësuar për kritikën e Vuçiqit ndaj Kishës Ortodokse Serbe, e cila është zemëruar nga bisedat për “kompromis” mbi Kosovën, e cila konsiderohet nga shumë serbë si djepi i besimit të tyre ortodoks dhe vendi ku ndodhen disa prej vendeve më të çmuara fetare.

Kisha, tha Trajkoviq, ka luajtur një rol të madh në mbijetesën e serbëve në Kosovë pasi NATO e mori kontrollin e krahinës së atëhershme nga Serbia në 1999.

Për disa serbë në jug të lumit Ibër, kisha është lidhja e tyre e vetme me shtetin serb. Ajo shërben si “teatri, kinemaja dhe këndi i tyre i lojërave për fëmijët”, tha ajo.

Nga ana tjetër, veriu, gjithnjë, është parë nga Serbia gjithmonë si diçka që ajo duhet ta mbajë. Për këtë qëllim, tha ajo, Beogradi kishte bërë një sy qorr para kriminalitetit të shfrenuar që shkonte krah për krah me politikën.

E pyetur nëse ajo priste që serbët në Kosovë të qëndronin, Trajkoviq tha se ata e kishin humbur besimin te Beogradi dhe se, “për fat të keq, mendoj se ata do të largohen”.  /BIRN/

Facebook Comments

Te ngjajshme