Mediat italian raportojnë se Mauro Icardi ka nënshkruar tashmë një kontratë të re me Interin, me klauzolë lirimi prej 160 milionë euro dhe pagën prej tetë milionë eurosh në sezon.

E ardhmja e sulmuesit argjentinas ka qenë shumë e përfolur këtë afat kalimtar, ku nuk kanë munguar skuadrat e interesuara për të.

Por, sipas mediumeve Corriere dello Sport dhe Tuttosport, marrëveshja e rinovimit të kontratës është bërë disa javë më parë, por deri tani ka mbetur e pazbuluar shkaku edhe i afatit kalimtar veror.

Icardi thuhet se ka rinovuar kontratën e cila e sheh në Inter deri në qershor të vitit 2023 dhe do të përmirësonte pagën e tij në tetë milionë euro në vit, duke përfshirë bonuse të lidhura me performancën.

Argjentinasi kishte një klauzolë lirimi për 110 milionë euro, por të vlefshme vetëm deri më 15 korrik dhe për klubet jashtë Italisë.

Kjo klauzolë tani mund të rritet në një minimum prej 160 milionë euro për sulmuesin argjentinas, që ishte Capocannoniere i përbashkët me Ciro Immobilen.

Real Madridi ishte shumë i lidhur me Mauriton sipas mediave spanjolle, por ato italiane gjithnjë e hodhën poshtë atë.

 Të dy klubet u përplasën në lidhje me kroatin Luka Modric, me Merengues që kërcënonin me raportim të Interit në FIFA për ‘kapjen e lojtarit’.
Facebook Comments